IQE surveys methodology

IQE surveys methodology

PERFORMANCA E INSTITUCIONEVE ARSIMORE

  1. Pyetësorit të studentëve
  2. Pyetësorit të personelit akademik
  3. Treguesëve të matshëm cilësorë dhe sasiorë

Metodologjia e vlerësimit

Vlerësimi i cilësisë së institucioneve dhe performancës, bazohet në mendimin dhe opinionin e studentëve që ndjekin një program studimi, personelit akademik dhe të dhënave të tjera të mbledhura në institucion. Studentët dhe personeli akademik vlerësojnë se në çfarë mase institucionet plotësojnë pritshmëritë e tyre lidhur me indikatorë të cilësisë apo tregues të matshëm. Pyetësorët organizohen tërësisht online, u dërgohet studentëve dhe stafit në mënyrë individuale nëpërmjet postës elektronike dhe plotësohet në platformën e dedikuar që IQE disponon për zhvillimin e sondazheve online. Në asnjë rast, mendimet, përgjigjet, opinionet apo informacionet e dhëna nga studentët dhe stafi, nuk vlerësohen individualisht por shërbejnë për analizën tërësore lidhur me indikatorët dhe treguesit përkatës të vlerësimit të institucionit, programeve të studimit, cilësisë së mësimdhënies, performancës së personelit akademik dhe institucionit në tërësi.

Përmbajtja e pyetësorit

A. Pyetësorët janë të dedikuar për vlerësimin e përgjithshëm institucional dhe bazohen në tregues sasiorë dhe cilësorë të matshëm dhe që vlerësohen nga studentët. Informacionet lidhur me regjistrimin dhe administrimin e studentit në institucion, mbështetja nga ana e institucionit apo strukturave të veçanta të tij, informacione mbi infrastrukturën e logjistikën për mësimdhënien etj, janë të rëndësishme për strukturat drejtuese të institucionit për të parë në një këndvështrim tjetër, ecurinë dhe performancën tërësore institucionale.

B. Pyetësorët për vlerësimin e programeve të studimit dhe mësimdhënies, fokusohen në marrjen e mendimit nga studentët për strukturën e lëndëve, moduleve, përmbajtjen e tyre, ngarkesën mësimore dhe raportet në shpërndarjen e veprimtarive formuese etj. Ndërkohë, metodologjia e mësimdhënies që ndiqet nga personeli akademik, format e përdorura për vlerësimin, aktivizimin, monitorimin testimin e njohurive, aftësive dhe kompetencave, zënë një pjesë të rëndësishme të pyetjeve të dedikuar këtij vlerësimi.

C. Vlerësimi i performancës së personelit akademik e ndihmës akademik e administrativ, ka në fokus marrjen e informacioneve nga studentët në lidhje me kontributin e stafit në mësimdhënie, etikës së komunikimit, përgatitjen në relizimin me kompetencë të veprimtarive të parashikuara, materialet e prezantuara e të vëna në dispozicion të studentëve etj. Evidentimi i praktikave të mira shërben si mekanizëm promovimi që duhet të ndiqet edhe nga pjesa tjetër e personelit akademik. Rastet problematike evidentohen nga studentët nëpërmjet vlerësimit të drejtpërdrejtë dhe më pas verifikohen nga ana e institucionit rast pas rasti. IQE siguron që mendimi i studentit të jepet vetëm për personelin akademik që studenti ka njohje të drejtpërdrejtë gjatë procesit mësimor.

Zhvillimi i pyetësorit

Realizimi i pyetësorit të studentëve dhe personelit akademik për vlerësimin e ecurisë së institucionit apo treguesëve të tjerë, bazohet në kërkesat që institucioni ka. IQE realizon sondazhe të dedikuara për institucionin, strukturën, numrin e programeve dhe numrin e studentëve që ka një institucion. Pyetësori organizohet i dedikuar që të përmbushë kërkesat që ka institucioni, qëllimin dhe objektivat për të cilat ai realizohet.

Stafi i IQE bashkëpunon ngushtësisht me Njësinë e Sigurimit të Cilësisë dhe grupin e punës të vënë në dispozicion nga institucioni në hartimin e pyetjeve, marrjen e informacioneve paraprake për strukturën, funksionimin, dokumentacionin, programet e studimit etj, si dhe në finalizimin e strukturës së pyetësorit.

IQE i dërgon individualisht çdo studenti në adresën elektronike të vënë në dispozicion nga institucioni pyetësorin me kod sigurie. Ne nënshkruajmë deklaratën e konfidencialitetit nëpërmjet të cilës sigurojmë se informacionet e vëna në dispozicion nga ana e institucionit apo të marrë nga studentët dhe stafi, përdoret vetëm për qëllimet që ka pyetësori.

Periudha e realizimit të pyetësorëve përcaktohet nga ana e institucionit. IQE sugjeron që vlerësimi i cilësisë dhe performancës të kryhet në përfundim të çdo semestri ndërsa vlerësimet tematike mund të realizohen gjatë gjithë vitit.

Afatet e zhvillimit të pyetësorit marrin parasysh kohën e përgatitjes së fondit dhe strukturës së pyetjeve, informimit të stafit dhe studentëve dhe periudhës së nevojshme për plotësimin e pyetësorit.

Koha maksimale e realizimit të pyetësorit është 60 ditë nga data e nënshkrimit të kontratës me institucionin.

Rezultate dhe përfundime

Përgjigjet e stafit dhe studentëve të marra nëpërmjet pyetësorit analizohen dhe përpunohen në përmbushje të qëllimit të tij.

  • Për çdo kategori dhe nënkategori pyetjesh, IQE paraqet rezultatet e drejtpërdrejta dhe rezultatet nëpërmjet analizave krahasuese dhe përpunimeve statistikore.
  • Rezultatet shoqërohen me interpretimin statistikor dhe cilësor përkundrejt standarteve shtetërore të cilësisë apo kritereve të matshme të përcaktuara nga ana e institucionit.
  • Rezultatet paraqiten në Raportin përmbledhës të hartuar nga stafi i IQE
  • Në varësi të kërkesës që ka institucioni, rezultatet paraqiten të ndara për vlerësimin e programeve të studimit dhe cilësisë së mësimdhënies, performancës së personelit akademik dhe performancës së përgjithshme të institucionit.
  • Analiza përfundimtare shoqërohet me evidentimin e pikave të forta, problematikave dhe rëndësinë që ato kanë në ecurinë e institucionit në të ardhmen. Parashikimi mbi analizën e riskut, shoqërohet me propozime dhe rekomandime të cilat duhet të adresohen nga ana e institucionit në kuadër të përmirësimit të tyre.

Kostot e realizimit të pyetësorit

Kostot e zhvillimit të pyetësorëve llogariten mbi bazën e pyetjeve, fushave që mbulohen, analizat që kërkohen dhe raportet që hartohen etj.

  • Pyetësori standart përmban 20-25 pyetje të fokusuara në tre drejtime kryesore dhe shpërndahet për 100 - 500 pedagogë ose studentë. Kosto minimale 200000 lekë
  • Pyetësori i profilizuar përshtatet për numër pyetjesh dhe fushash dhe shpërndahet për 100 - 500 pedagogë ose studentë. Kosto minimale 250000 lekë. Kostot e tjera përllogariten për një numër më të lartë studentësh dhe stafi.